Për kë është dialogu?

1 Shkurt 2017 - 08:23 - Augustin Palokaj      

Kur është nisur dialogu para gati gjashtë vjetësh u tha se ai është për qytetarët dhe ka për qëllim përmirësimin e jetës së tyre të përditshme. Por përshtypja është se ai kryesisht po u shërben politikanëve në Prishtinë dhe Beograd për qëllime politike: në dialog zgjidhet një problem dhe krijohen dy. Se edhe BE-ja mbështet jotransparencën dëshmoi javën e kaluar kur konfirmoi se palët ishin marrë vesh që „të mos komentojnë në publik për diskutimet“

Diku rreth orës 23 javën e shkuar, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq erdhi para gazetarëve në një sallë të vogël në ndërtesën e Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së për t’i njoftuar se ka përfunduar takimi i nivelit të lartë me „përfaqësuesit shqiptarë të Prishtinës“. I luti gazetarët që të mos bëjnë pyetje, sepse, siç tha ai, „kështu jemi marrë vesh“. Ai foli për paqe, takimin e quajti „ndër më të vështirët që ka pasur deri më tash“, tha se „do të ketë takime më të shpeshta“ se „dialogu nuk ka alternativë“ se ai ministrave të tij u ka dhënë porosi që të përmbahen nga deklaratat të cilat „mund të lëndojnë palën tjetër“ dhe përfundoi duke thënë se „nuk do të ndërmerrej asgjë që do të rrezikonte qytetarët, qoftë serbë apo shqiptarë“.

Fjalët e matura të Vuçiqit jepnin një mesazh diametralisht të kundërt nga ai që pak orë më herët kishte dhënë presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq. Ai fliste sikur të ishte nga ndonjë botë tjetër. „pse të bëjmë dialog kur shqiptarët, pa lejen tonë dhe pa lejen e BE-së shkojnë e kërkojnë anëtarësime nëpër organizatat ndërkombëtare“ thoshte Nikoliq. „Treni pati për qëllim simbolikisht të dëshmojë se Kosova është pjesë e Serbisë“ shtoi ai dhe „kërcënimin“ e „palës shqiptare“ e krahasoi me bombardimet e NATO-s dhe me terrorizëm. „Çka do t’i kishin bërë Trenit? Do ta kishin hedhur në ajër me mina, apo do ta kishin bombarduar siç kanë bërë në të kaluarën“, thoshte Nikoliq e disa herë përsëriste se „treni është ndalur tri orë para se të niseshin njësitë speciale të shqiptarëve në veri“. Dhe si fund, kur e pyetëm a ka thënë ai vërtet se është i gatshëm të shkojë në luftë në Kosovë Nikoliq nuk ngurroi aspak, por u përgjigj: „Nuk besoj se ekziston ndonjë serb, i cili nuk është i gatshëm të shkojë në luftë nëse ka nevojë“. Më vonë u mundua të relativizojë „gatishmërinë për luftë“ duke thënë se „ai i cili nuk është i gatshëm të luftojë për vendin e tij nuk meriton të jetojë në atë vend, as në Belgjikë, as Francë, as Gjermani e as në Serbi“.

Duke parë „dallimin“ mes Vuçiqit dhe Nikoliqit fitohet përshtypja sikur ata qëllimisht t’i kenë ndarë rolet. Njëri, për nevoja të brendshme, paraqitet si „patriot“ për publikun e brendshëm e tjetri si „pëllumb paqe“ para evropianëve. Porositë e tyre të ditëve të fundit, në prag të dialogut, kishin shqetësuar shumë jo vetëm opinionin në Kosovë por edhe në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Nganjëherë fjalët e rënda bëhen edhe më të rënda kur i dëgjon nga goja e dikujt që ka episode luftarake nga historia jo shumë e largët. E trumbetues të luftës, ndër më të mëdhenjve, ishin jo shumë vite më parë, pikërisht Nikoliqi dhe Vuçiqi. Fjalët e tyre mund të mos i lënë përshtypje dikujt në Evropë sot, sepse në Evropë edhe në politikë është një gjeneratë tjetër, por në Ballkan gjithsesi krijojnë shqetësim. Prandaj këtë lojë të “luftës dhe paqes” që po bëjnë liderët e Serbisë sot BE-ja duhet ta kuptojë edhe më seriozisht.

Kësaj radhe, siç ndoshta edhe kemi mundur të presim, BE-ja po ashtu u orvat të bëjë barazim të përgjegjësisë duke lënë përshtypje se edhe liderët e Kosovës kanë dhënë deklarata nxitëse të cilat kanë krijuar tensione. Por dyshja nga Kosova që mori pjesë në dialog nuk i kishte ndarë rolet për të dhënë porosi para gazetarëve siç kishin bërë kolegët nga Beogradi. Gazetarëve u foli presidenti Hashim Thaçi, ndërsa kryeministri Mustafa vetëm qëndroi krah tij, por nuk tha gjë. Për dallim nga Vuçiqi, Thaçi nuk tha se ishin marrë vesh që të mos bëhen pyetje. Iu përgjigj të gjitha pyetjeve të gazetarëve. Dha porosi të forta se “Kosova do t’u japë përgjigjen e merituar” të gjithë atyre që do të tentojnë të rrezikojnë sigurinë, integritetin dhe sovranitetin e saj. Ua tërhoqi vërejtjen që të mos provokojnë me trena, siç bënë, e pastaj “të paraqiten si pëllumba paqe”.

Porositë e Thaçit nuk tingëlluan mirë në Beograd. Ndonëse nuk duan ta pranojnë se e kanë bërë një gjë të tillë me kërkesë të Beogradit, nga Zyra e zonjës Mogherini dërguan të nesërmen një prononcim, i cili qartë ishte drejtuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. „Një rezultat esencial ishte ai për t’i lënë tensionet prapa dhe për t’u përmbajtur nga komentimet në publik për diskutimet. Na vjen keq që kjo nuk u respektua nga të gjithë, dhe ftojmë që të dëshmojnë përmbajtje dhe të ndërtojnë mbi marrëveshjen e arritur dje“ ishte porosia nga Zyra e përfaqësueses së lartë Mogherini.

Pas kësaj, Thaçi po ashtu, sikur edhe Vuçiqi, dërgoi porosi për paqe dhe ulje të tensioneve. Njoftoi se ka folur me telefon me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ndërsa për disa ditë Thaçi do të vijë në Bruksel kur, sipas planeve, do të pritet nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe nga kryetari i Komisionit, Jean Claude Juncker.

Prej kur ka nisur dialogu, liderët e ndryshëm kanë ardhur shpesh në Bruksel. Nuk e dimë se sa herë do t’i kishin ftuar sikur të mos kishte dialog. Ajo që po harrohet është se pse qytetarët nuk po i marrin informatat e duhura nga dialogu. Pse kur palët japin deklarata të kundërta për të njëjtën gjë nga BE-ja nuk sqarojnë se cila është e vërteta. Për shkak të paqartësive të qëllimta mbetet ende e hapur dilema se a ka pasur apo jo vërtet një marrëveshje “gojore” që njësitë e policisë së Kosovës të mos mund të dërgohen në veri.

Kur ishte nisur dialogu para gati gjashtë vjetësh u tha se ai është për qytetarët dhe ka për qëllim përmirësimin e jetës së tyre të përditshme. Por përshtypja është se ai kryesisht po u shërben politikanëve në Prishtinë dhe Beograd për qëllime politike: në dialog zgjidhet një problem dhe krijohen dy. Se edhe BE-ja mbështet jotransparencën dëshmoi javën që shkoi kur konfirmoi se palët ishin marrë vesh që „të mos komentojnë në publik për diskutimet“.

Nga BE-ja mund t’u dërgojnë kritika liderëve që të përmbahen nga retorika nxitëse, nga krijimi i tensioneve. Por nuk bën t’u lejojnë e lëre më t’i inkurajojnë, që të mos flasin për diskutimet. Ky është edhe njëri prej gabimeve më të mëdha të BE-së si lehtësuese e dialogut, sepse, duke besuar se marrëveshjet arrihen më së lehti, duke i mbajtur larg opinionit, kanë ndihmuar që të ketë aq shumë kundërshtim për këtë dialog. Si mund të mbështesin qytetarët diçka nëse nuk e dinë saktësisht se çfarë është dhe nëse nuk janë të informuar. Dhe tash, kur BE-ja dëshiron që të intensifikohet dialogu, duhet të bëjë më shumë që qytetarët të marrin informatat e sakta, sepse nuk mund të ekzistojnë tri të vërteta. Apo edhe në BE besojnë se palët mund të japin “fakte alternative” nëse atyre u shkon në favor. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...