Anija pa timonier

31 Janar 2017 - 08:08 - Flaka Surroi      

Kush do ta parafytyronte se do të ishim aq të marrë sa t’ua linim timonin e anijes njerëzve pa integritet, e mbi të gjitha pa dije. Atyre që do të na nisnin në një rrugë të pacak, përderisa do t’ia gërryenin të gjitha të mirat që i ka përbrenda, për ta lënë ashtu të mjerë, si një teneqe para shkapërderdhjes

Ka tashmë një kohë që më duket thuajse Kosova është një anije që ka humbur timonierin dhe është nisur të lundrojë me inercinë e valëve të detit që ose mund ta përplasin për shkëmbinj, ose ta zhysin me zor në rërën e ndonjë ishulli të braktisur diku në mes të asgjësë.

Secila javë që kalon, nuk sjell gjë të re, pos rrëfimeve tashmë të para e të dëgjuara. Sjell nervozizëm e frikë. Sjell shqetësimin e të qenit dëshmitar se si një ëndërr e bukur shndërrohet në një ankth me regjinë tonë vetjake. Falë mendve e duarve tona.

Edhe kjo që shkoi na i solli temat tashmë të përtypura deri në shije të hidhur. Vazhdimin e një dialogu të pakuptimtë. Formimin e një komisioni matës të territorit edhe më të pakuptimtë. Klasifikimin e Kosovës si më të korruptuarën në rajon.

Ngrehja e veshëve

Të martën u shkua në Bruksel – dhe kësaj radhe në nivelin më të lartë të përfaqësimit, me kryetarë e kryeministra. Takimi pasoi pas zhurmës që e krijoi një tren provokues e që u përcoll nga një sërë deklaratash luftënxitëse kryesisht nga pala serbe.

Dukej se Mogherini kishte vendosur t’i thërriste për t’i ulur gjakrat. Me gjasë, e ashtu doli pas një komunikate zyrtare, u kishte thënë të gjithë pjesëmarrësve që të përmbaheshin nga komentet për takimin. Dhe të gjithë e shkelën obligimin e marrë. Krejt kishin diçka për të thënë për takimin. Secili e jepte interpretimin e vet. Dhe në fund, asgjë. Pos detyrimit që një dialog që i ka sjellë më shumë dëme sesa të mira Kosovës, të vazhdojë. Nga ana jonë, ende pa platformë dhe ende pa synim se ku duam të arrijmë. Pikërisht sikur të ishim krejt në atë anijen pa timonier..., pra le të dalë ku të dalë. Le të mbërrijë ku të mbërrijë, pa i marrë parasysh pasojat.

Dialogu gjashtëvjeçar me Serbinë ngadalë po na i shterë nervat dhe durimin. Kjo, për shkak se u nis nga një njeri i papërgjegjshëm, i cili e injoroi komplet opozitën për t’u dëshmuar “i madh” para botës. Një kohë nuk u mor me negociata, por kjo vetëm pasi e nënshkroi një marrëveshje të keqe që do të jetë burimi i të gjitha problemeve të ardhshme që na presin. Për shkak se e nënshkroi një dokument në të cilin u obligua ta formonte shtresën e tretë të pushtetit në Kosovë, kurse atë premtim ia dha njeriut që ishte bashkëpunëtori i parë i një diktatori fashist. Njeriut që kishte qenë përkrahës i një politike fashiste ndaj shqiptarëve, dhe që ende mendon se shqiptarët janë njerëz të rendit të dytë, dhe se duhet t’i nënshtrohen Serbisë.

Problemi do të bëhet edhe më akut në çastin kur ky njeri i papërgjegjshëm të vendosë ta marrë timonin e negociatave në rundet e ardhshme – që ta afirmojë veten edhe si “burrështetas i kalibrit të madh”, dhe të nënshkruajë edhe ndonjë marrëveshje ojq-eske që kush e di edhe sa koncesione do t’iu bëjë serbëve. Vetëm për ta ruajtur veten dhe pozitat që i mban. Për shkak se me qasjen për të injoruar gjithçka dhe gjithkënd përreth vetes, ka ardhur në situatë ku më askush nga opozita nuk do që të bëhet pjesë e një procesi negociatash, për shkak se askush nuk do të marrë përgjegjësinë për fiaskon e tij. Dhe të kota do të jenë akuzat që do t’i bëjë duke thënë se ja “e shtriva dorën e pajtimit, por ata nuk deshën”, sepse më s’ka kush i beson. As për fjalët që i thotë e as për veprimet që i ndërmerr. Krejt çka mund të bëjë është të vazhdojë të japë mirënjohje e dekorata kujtdo që t’i kujtohet.

Çka do të matet?

Por, nuk është vetëm ai që ka imagjinatë të zhvilluar. Është edhe një tjetër, kryeministri, të cilit tash i kujtohet se mund të krijojë komisione ad-hoc për të matur territor. Dhe i kujtohet që për kryetar të atij komisioni ta emërojë shefin e vet në Akademi (a nuk është konflikt interesi?). Në po atë institucion që nuk është dëgjuar të kishte mendim a studim ama bash për asnjë temë. Pos kur kjo temë ka qenë politikisht e porositur.

Demografi në krye të këtij Komisioni, para një kohe i kishte akuzuar kundërshtarët e demarkacionit si diletantë, gënjeshtarë dhe plagjiatorë. Pra, apriori tashmë kishte dhënë gjykimin e vet për njerëzit që mendojnë ndryshe. Për njerëzit që pse u qasen hartave ushtarake të ish-Jugosllavisë (që logjikisht do të duhej të ishin më të saktat, sepse janë elaboruar nga një institut që ne që 18 vjet s’jemi në gjendje ta themelojmë) quhen nostalgjikë.

Por problemi vazhdon të mbetet i njëjti – përcaktimi i kufirit është bërë vetëm në bazë të hartave kadastrale. Jo pak njerëz kishin argumentuar se kjo metodë mbase kishte qenë e gabuar dhe se është dashur të shkohej në kombinim edhe me metodën ku do të merreshin parasysh rrjedhat e ujërave dhe vijat malore. Mbase do të ketë edhe metoda të tjera, që unë nuk i di, ashtu siç nuk i di as opinioni publik. Porse dikush që është i kualifikuar do të mundë t’i dinte. Dhe përderisa këto metoda të tjera nuk merren parasysh, shtrohet pyetja, pra, se çfarë do të masin këta njerëz të Komisionit kur të dalin në terren?

Nëse intenca do të jetë të shpenzohen edhe disa mijëra euro nga buxheti për t’ia bërë qejfin kryeministrit, i cili insiston se asnjë centimetër tokë nuk humbet me këtë marrëveshje, atëherë rezultati do të jetë po i njëjti: do të kthehemi në Kuvend, do të shohim hedhje vezësh e gazi lotsjellës, e ndoshta kështu vetëm do të përshpejtohen zgjedhjet që si duket gjithkush po i do. Apo po i përgatit.

Korrupsion deri në tavan

Si ndryshe të kuptohet veprimi i kryeparlamentarit dhe shefit të partisë më të madhe të koalicionit që pa pritur e pa kujtuar e ftoi korin diplomatik në ndërtesën e Kuvendit për t’i thënë se si PDK-ja së shpejti do të dalë për t’i shpalosur burimet e financimit të vet. Shtoi edhe se së shpejti do të emërohej ministri për Integrime.

Pra, përderisa në pjesën ku ka mundur të fliste për zbatimin e MSA-së do të mundë të thuhej se është pjesë e punës zyrtare të Kuvendit, çështja e ministrit dhe e financave janë punë partie. Pra, pse nuk i ftoi në selinë e PDK-së, por në Kuvend? Dhe pse i duhen gjashtë a shtatë muaj për të treguar se do të bëhemi me ministër të Integrimeve, kur vetë kishte lejuar që anëtari i tij i kabinetit qeveritar të kalonte në postin e shefit të kabinetit të kryetarit të shtetit? Në fund, pse doli, një ditë para se të bëhej publik raporti i Transparency International për perceptimin e korrupsionit, të tregonte se si do të shpalosej një nga sekretet më së miri të ruajtura në Kosovë?

Për shkak se do që para përfaqësuesve të huaj këtu të tregojë fuqinë e tij politike dhe t’i informojë se, nëse nuk e kanë ditur, zgjedhjet e parakohshme eventuale varen nga vullneti i tij. Sepse ai mund ta rrëzojë këtë Qeveri kur t’ia ka ënda. Veç le të kalojnë këto far aktakuzat e para të Speciales dhe t’i mblidhet edhe ndonjë sponsor i mundshëm, dhe gjithçka do të jetë gati, për shkak se gjërat kështu siç janë, munden vetëm të përkeqësohen.

Mjerimi i gjithë këtij muhabeti është se shpalosja e burimeve të financimit është obligim ligjor, i cili nuk është respektuar nga askush, pos nga dy parti opozitare. Pra, me deklaratën se “së shpejti do të paraqitet raporti” haptazi e pranon se e ka shkelur ligjin dhe se për këtë ka kaluar pa asnjë therrë në këmbë. Për më tepër, e thotë atë publikisht para diplomatëve të huaj, thuajse solemnisht iu betohet. Thuajse ata janë votuesit e tij. Thuajse po bën një punë të madhe. Pasi aq shumë paska dashur të tregohej transparent, pse nuk e ka sjellë raportin në atë mbledhje, por i ka dhënë vetes lluft edhe disa ditë – me gjasë për t’i rregulluar shifrat sipas nevojës.

Dhe kur e sheh se çka ndodh në nivelet më të larta të pushtetit, kur kupton se prej vitesh kontratat për autostradat, për shitblerjet e aseteve kosovare dhe gjërat aq banale si raportet e financimit të partive politike nuk i zbulohen opinionit, nuk ka se si ndryshe të perceptohet korrupsioni në Kosovë pos si më i larti në rajon. Kosova vazhdon të ketë probleme shumë serioze me joprofesionalizmin dhe me ndikimin e kontrollin partiak në emërimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në të gjithë sektorët publikë në të gjitha nivelet. Vazhdon të ketë problem, ndër të tjera, edhe me shëndetësinë dhe gjyqësorin, që vazhdojnë të jenë sektorët me nivelin më të lartë të korrupsionit. Dhe kush është përgjegjës? Koalicioni qeveritar, natyrisht. Ata që e mbajnë pushtetin dhe manipulojnë me të ashtu siç u konvenon.

* * *

Kush do ta mendonte se anija të cilën na e ndërtuan me kalimin e luftës, do ta ndryshknim aq shumë me pakujdesinë tonë, thuajse bëhet fjalë për mall të huaj që dhemb më pak nëse prishet. Kush do ta parafytyronte se do të ishim aq të marrë, sa t’ua linim timonin e saj njerëzve pa integritet, e mbi të gjitha pa dije. Atyre që do të na nisnin në një rrugë të pacak, përderisa do t’ia gërryenin të gjitha të mirat që i ka përbrenda, për ta lënë ashtu të mjerë, si një teneqe para shkapërderdhjes. Dhe për ta braktisur fatit të vet, pasi veten ta kenë rehatuar në ndonjë ishull tropikal, të qetë e të bukur, ku do t’i gëzojnë frytet e mjeljes së paskrupullt të popullit të vet.

Mbase ende ka shpëtim për anijen tonë të shkretë që lundron pa timonier. Prej nesh do të varet nëse përplaset me shkëmbinj, zhytet në rërën e ishullit të braktisur, apo ankorohet në limanin që do të na nxjerrë nga kriza. Po heshtëm, njëra nga dy të parat do të na ndodhë.

flaka@koha.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...