S’ka luftë, s’ka tanke… ejani të bisedojmë!

20 Janar 2017 - 08:18 - Halil Matoshi      

…mund të flitet që në takimin e parë për trenat dhe qarkullimin e lirë. Pse jo? Askush në Evropë më nuk ndal udhëtarë, avionë, trena dhe as vetura. Secilit shqiptar të gjallë të Kosovës, që në vitet ’90 i ka pasur mbi shtatë vjeç, i kujtohen postblloqet, telat me gjemba, qentë, milicët me kallashnikovë… Dhe tortura. Ose postblloqet sporadike, në të cilat të priste ndonjë shumadinas, që i vinte era raki kumbulle, e të thoshte me kërcënim: “Llet mark – lleze kerin ec…!”

Ishte vetëm një përballje teatrale, me skenografi tashmë të parë ose si në një film nga epoka e Luftës së Ftohtë që për protagonist ka një tren.
Porse, konspiracionistët nuk reshtin së përmenduri - me lehtësi të padurueshme - mundësinë e një lufte të re mes shqiptarëve kosovarë dhe serbëve.
Ata të kujtojnë “Gjirin e derrave”, më 1961, dhe “Krizën e raketave” sovjetike në Kubë, më 1962.

Pastaj Aeroportin ushtarak të Prishtinës, kur rusët nga Bosnja kishin ndërhyrë befasisht në Kosovë, duke marrë atë (aeroportin ushtarak) dhe gjenerali Mike Jackson, kur i kishte thënë gjeneralit Wesley Clark: "Unë nuk kam ardhur të nis Luftën e Tretë Botërore për Ju"!?
Dhe James Blunt, pop këngëtari që atëbotë ishte oficer kalorësiak britanik, do të thoshte se ishte vendim me vend: “Më mirë t’i këndohet një gruaje të bukur në metro se sa të vriteshim me 200 ushtarët rusë të armatosur deri në dhëmbë”!?
Krimenë dhe aneksimin rus të saj, gusht 2014.

Halepi, 2017, dhe mundësia e intervenimit të ShBA-së etj.
Sy bote Serbia ka nisur një ofensivë diplomatike kundrejt Kosovës dhe për habi Brukseli zyrtar po hesht.
Kjo heshtje sikur e sqaron frikën e BE-së përballë Rusisë, që është rikthyer fuqishëm në skenën evropiane, duke e instrumentalizuar Serbinë për ta përdorur si shantazhuese të BE-së.
Gjermania nuk ia del dot e vetme t’i bëhet mburojë kësaj BE-je fragjile e kaotike, e Presidenti Trump e sheh me xhelozi forcimin ekonomik të saj.
Në anën tjetër Kosova nuk ka strategji kombëtare për t’u mbrojtur ligjërisht nga Serbia…

Presidenti i vendit si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë të Kosovës, në vend se të angazhohej për protagonizëm - kinse i kishte dhënë urdhra policisë - edhe pse këtë kompetencë nuk e ka, sipas Kushtetutës së Republikës - si kundërpeshë duhet ta dekretojë FSK-në, për të marrë detyrën e mbrojtjes së kufijve kushtetues të vendit.
Presidenti Thaçi duhet ta dijë se me Kushtetutë, FSK-ja është forcë kombëtare mbrojtëse e Kosovës (neni 126: pika 1. Forca e Sigurisë e Kosovës është forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgojë pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare. 2. Forca e Sigurisë e Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj. 3. Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës, e cila gjithmonë i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile, të zgjedhura në mënyrë demokratike.)

E qartë që nuk ka nevojë për ta riemërtuar si Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) me ligj, duke ndryshuar Kushtetutën e për çfarë pretendohet se duhet votimi i dyfishtë (dy të tretat e Kuvendit dhe dy të tretat e pakicave), sepse me Kushtetutë FSK-ja është ushtri, por asaj duhet dhënë detyrat ushtarake, natyrisht në koordinim me aleatët dhe me Komandën e NATO-s.
Presidenti i Republikës sipas nenit 84 (4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë.

Ashiqare duke mos pasur guxim dhe siguri të mjaftueshme se po e bën më të mirën të mundshme, për ta dekretuar FSK-në që t'i mbrojë kufijtë e atdheut – si një e drejtë dhe kompetencë e tij – Presidenti Thaçi mburrej në media kinse me urdhrin e tij dhënë policisë së Kosovës, edhe pse e di saktë se kjo është e gabuar dhe se nuk bëhej fjalë me kurrfarë neglizhence të institucioneve!?
Presidenti sipas Kushtetutës (neni 84, pika 22) vendos për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin; (23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme.

Dhe përderisa këtë nuk e ka bërë, ai nuk ka kompetenca të urdhërojë kurrfarë veprimi policor.
Pra me forcat e rendit (zbatimin e ligjit) udhëheq Kryeministri: neni 94 (kompetencat e Kryeministrit);
(3) siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë;
(5) kryeson Këshillin e Sigurisë të Kosovës;
(6) emëron drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës;
Presidenti në këtë situatë ashiqare ishte sjellë si një militant i PDK-së, duke e minuar rolin e Kryeministrit të vendit, ndonëse është në koalicion me partinë e tij, LDK!?
Nëse kosovarët duan ta shmangin rendin folklorik të vlerave, për ta zëvendësuar me një rend kushtetues, atëherë duhet pasur parasysh se Kosova është shtet parlamentar dhe jo presidencial, së këndejmi, Presidenti është “pjesë” e Ekzekutivit, njëfarë moderatori mes tri pushtetesh, që në secilin version të demokracisë duhet të jenë të ndara (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori.)

Shteti më liberaldemokratik parlamentar në botë është Mbretëria e Bashkuar e Britanisë me Lartmadhërinë e Saj, Elizabeth II, e cila kryen ato punë (ceremoniale) që kryejnë kryetarët në shtetet me sistem parlamentar, ndërsa Kryeministri është de facto shef i shtetit.
Në situatën kosovare, pos në rastet kur duhet mbledhur Kuvendi që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, dhe Kryetari i shtetit si Komandant i Forcës së Sigurisë të Kosovës (ushtrisë) e merr komandën e trupave (neni 84 i Kushtetutës), kurse të gjitha urdhrat për forcat e zbatimit të ligjit, në kushte paqeje i jep Kryeministri me dikasteret përkatëse qeveritare (neni 94.)
Në situatën e krijuar rreth maskaradës me “trenin nacionalist” serb, Presidenti Hashim Thaçi ka bërë deklarata të pamatura në media, thjesht për protagonizëm e mujshi, sepse ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kushtetues-ligjor për ta ndalur këtë tren, jehu i të cilit nuk dihet ende, sikur synon të dalë nga skëterra, ngase vendimi për ta ndalur trenin ishte marrë nga Qeveria e Kosovës dhe në konsultim me Këshillin për Siguri Kombëtare (aty ka qenë edhe këshilltari për siguri kombëtare i Presidentit, Bislim Zyrapi), kurse Brukseli zyrtar ishte njoftuar me shkresë zyrtare ditë më përpara, po ashtu nga Kryeministri.

Në një demokraci si kjo kosovare, roli i Presidentit është i ditur sipas Kushtetutës, porse duke qenë pjesë e Ekzekutivit, ai secilin veprim kushtetues që bën, duhet ta bëjë në konsultim me Kryeministrin dhe në situata emergjente edhe Kryeministri duhet të veprojë njëjtë, sepse që të dytë janë pjesë e Këshillit për Siguri Kombëtare!
Mirëpo, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk u tregua burrë shteti me integritet kur përmendi “neglizhencën institucionale” – megjithëse e dinte se Këshilli për Siguri Kombëtare kishte vendosur të ndalej treni! Në anën tjetër, Kryeministri u deklarua tek në mbrëmje dhe ai përfshiu edhe Presidentin në tërë këtë tregim, duke thënë se të gjitha veprimet ishin bërë në koordinim të plotë institucional.

Së këndejmi, Presidenti me qasje populliste dhe jokushtetuese (edhe pse është garant i kushtetutshmërisë në vend dhe mirëmbajtës i unitetit të popullit) ka abuzuar me median dhe publikun, që thelbësisht po silleshin në errësirë të thellë prej injorantësh kushtetues!?
Në sfond, duke marrë shembullin e secesionit të Krimesë, disa zëra në media e rrjete sociale kanë marrë flakë në pretendimet se luftë do të ketë!?
Porse faktet nuk e mbështesin këtë flakëvënie!
Mirëpo, luftë është secila përpjekje për demokraci e më shumë liri, për më shumë mirëqenie e më shumë fqinjë të mirë, për më shumë humanizëm e më shumë dashuri mes njerëzish, që e perceptojnë tjetrin, të ndryshmin nga vetja si armik…
Pse nuk do të ketë luftë, as sipas skenarit të Republika Srpska-s dhe as sipas skenarit të Krimesë ?

Në një debat me një koleg, Fadil Hoxhën, ai solli këto të dhëna që po i ndaj me lexuesit.
NATO-ja nuk e ka bombarduar kot Serbinë dhe nuk i ka shpenzuar kot rreth 8 miliardë dollarë amerikanë për luftën ajrore shtatëjavëshe me Serbinë dhe nja 20 e kusur miliardë dollarë të tjerë prej 10 qershorit 1999 e deri më sot.
Pra kostoja kombformuese e shtetkrijuese në Kosovë kap shifrën prej rreth 30 miliardë dollarësh.
Vetëm buxheti i kontingjentit amerikan të KFOR-it, në vitet e para të misionit, ishte rreth 2 miliardë dollarë në vit (edhe për shkak të Bondsteell-it).

E në aspektin politik, një ndërhyrje ushtarake e Serbisë në Kosovë do të thoshte fund tragjikomik i NATO-s dhe me gjasë luftë e pashmangshme botërore, porse kombet më të fuqishme perëndimore nuk do ta lejojnë një gjë të tillë, sidomos jo në kushtet kur Rusia po e fabrikon gënjeshtrën e saj shekullore - Luftën e Tretë Botërore - që është thjesht një përpjekje e dëshpëruar për ta drejtuar Perëndimin në një Luftë të re të Ftohtë, sa për t’ua shitur disa vendeve të brishta evropiane më shtrenjtë këtë gënjeshtër të radhës (edhe pse fjalët e Presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, për NATO-n janë ogurzeza!?)

Dihet se NATO-ja ka marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Marrëveshja e Kumanovës) për një ambient të sigurt në Kosovë. Pra për sigurinë në Kosovë është përgjegjëse edhe OKB-ja (Sipas Rezolutës 1244 dhe këshillëdhënies së GJND-së.)
Pra, në këso kushtesh, nuk do të ketë luftë dhe as tanket e Serbisë nuk do të nisen në drejtim të Kosovës, me gjithë tahminet e kosovarëve, porse do të ketë luftë nervash dhe përballje informative, sepse ajo synon që të realizojë së paku tri interesa në politikat e saj shtetërore:
E para, Serbia mësyn prishjen e imazhit të Kosovës (me e vënë në pozicion të keq karshi Fuqive të Mëdha) në prag të mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në UNESCO (kinse kosovarët janë kundër qarkullimit të lirë dhe kundër ikonografisë kishtare ortodokse, nga ato që gëzojnë mbrojtjen e UNESCO-s;
E dyta, Serbia pasi ndali “marshutën” e “trenit rus” (që shëmbëllente në
një Manastir ortodoks “pravosllav”, ku priftërinj e oshënarë të rremë ligjërojnë për luftën!???) dhe të bojatisur me ikonografi nacionaliste “Kosova është Serbi”, në shumë gjuhë botërore, për ta akuzuar Kosovën të këtë vënë eksploziv në binarët, e që ta paraqesë lidershipin e saj me prirje terroriste, në njërën anë, kurse në anën tjetër duke vajtuar fatin e serbëve kosovarë, pas shkuarjes së njësive policore ROSU të Kosovës në Jarinje (dhe akuzat e ngritura nga Vuçiqi në trajtë apeli paravajtës - “Mos vrisni serbët”!? – dëshmojnë se Serbia i ka hyrë betejës për t’u shndërruar nga agresore në viktimë, duke qenë se ajo në këto momente është me lak rreth fytit para hapjes së kapitullit 35 në negociatat BE-Serbi.

Dhe e treta, involvimi (përmes “Flamujve të rremë”, propagandës, informacionit dhe hapjes së shumë telasheve Kosovës njëherësh, që kanë të bëjnë me sovranitetin, dinjitetin dhe sferën emotive, Serbia mësyn përplasjen e brendshme të shoqërisë kosovare dhe defunksionalizimin e shtetit, përkatësisht shpërbërjen e shoqërisë kosovare dhe dezintegrimin e shtetit kosovar nga vetë kosovarët, qoftë duke nxitur etnonacionalizmin shqiptar, dhe parullën për një Shqipëri Etnike, qoftë duke shfrytëzuar instrumentalizimin e serbëve kosovarë, të cilët do të motivoheshin për aventurën e quajtur “Bashkësi serbe” në Kosovë, jo nën kornizën kushtetuese të Republikës së Kosovës, por sipas modelit kriminal të Republika Srpska-s në Bosnjë.

Në këtë rrafsh të problemeve me Serbinë, interesi strategjik kombëtar i Kosovës janë bisedimet në Bruksel, deri në arritjen e një marrëveshjeje juridikisht obliguese për të dyja palët që do t’i jepte fund konfliktit njëshekullor mes serbëve dhe shqiptarëve etnikë, - e nga i cili pakt paqeje - Kosova do të mundë të përfitonte ulësen në OKB – me çka do të maturohej shteti kombëtar i kosovarëve!
Mirëpo, nëse Serbia flet atje për mure, e trena me ikonografi nacionaliste, Prishtina duhet ta shtyjë përpara agjendën e saj, në Bruksel, duke ndërtuar një strategji kombëtare në përballje me “kurthin” serb.

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, që njihet si një nacionalist ekscentrik, ka theksuar se bisedimet e radhës kanë të bëjnë me trenin, në të kundërtën, ato do të ndërpriten.
Mirëpo, pak ditë më përpara ai dhe vartësit e tij në Beograd, e kishin shtruar çështjen e murit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës si prioritet në bisedime!?
E tash pyetja legjitime për zotin Toma Nikoliq – “Grobar”, që shtrohet, është: A muri, a treni?
Për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve (në këtë rast sipas strategjisë evropiane të hekurudhave) së pari duhet të hiqen muret.

Pra ato në kokat e nxehta të nacionalistëve, e pastaj edhe ai muri fizik në mes qytetit.
Në dekadën e dytë të shekullit 21.
Prishtina s’ka pse flet me Beogradin as për trenin, as për murin në territorin e saj (duhet vetëm t’u përmbahet ligjeve të saj), por as për agjendat e Serbisë për t’ia lehtësuar frymëmarrjen rreth kapitullit 35.
Sa për trenin, presidenti serb (e secili zyrtar i shtetit serb) lë t’i drejtohet Autoritetit Kombëtar të Hekurudhave të Republikës së Kosovës, që rregullohet me ligjin Nr. 04/L-063 (2011.)
Neni: 1.42. “Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave i Kosovës – institucioni i pavarur, i cili është i ngarkuar për rregullimin, mbikëqyrjen, organizimin e sektorit hekurudhor në Kosovë dhe i cili vepron si organ licencues, organ përgjegjës për çështjet e interoperabilitetit dhe entiteteve të njoftimit, organ për rregullimin e tregut hekurudhor dhe organin për sigurinë hekurudhore dhe kompetencave të tjera, të cilat i jepen në bazë të këtij ligji.”
Dhe: neni 6: Infrastruktura hekurudhore për shfrytëzim të përbashkët;

“Çdo ndërmarrje hekurudhore me seli në Kosovë apo jashtë saj, e cila ka licencë hekurudhore të paraparë me këtë ligj dhe që plotëson të gjitha kushtet sipas këtij ligji, mund të bëhet aktive në fushën e transportit duke operuar në infrastrukturën hekurudhore të shfrytëzimit të përbashkët në Kosovë”.
Dhe trenat tutje s’ka për t’i ndalur kush!
Vërtet a duan disa serbë që sërish t’i rrokin armët kundër fqinjëve shqiptarë?

Nuk besoj!
Edhe nëse ka të tillë ose janë të dehur, ose janë nën presionin e vlimit të pasioneve ("Uzavrela strast", qysh i cilësoi Kryeministri serb Vuçiq deklaratat luftënxitëse të zyrtarit të tij Gjuriq…
Po shqiptarët kosovarë ekstremisht të ekzaltuar nga folklori me nota nacionaliste (si nacionalromantizëm) ndonëse të shpëtuar nga Perëndimi (ShBA-ja dhe NATO-ja) duan vërtet luftë, qysh po përpiqet t’i shfaqë propaganda armiqësore e Serbisë?
Jo, kurrë!
Harrojeni luftën!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...